Prej emrave të bukur të Allahut të Lartësuar është edhe i Drejti. Drejtësia është baza e legjislacioneve qiellore mbi të cilën janë ngritur qiejt dhe toka. Sipas rregullit të sheriatit, njeriu është i ngarkuar dhe do të japë llogari për veten e tij; nëse ka bërë mirë, shpërblehet me të mirë dhe nëse ka vepruar keq, do të shpërblehet me të keq. Sipas kësaj rregulle, njeriu nuk i mbart pasojat e të tjerëve dhe nuk ndëshkohet për veprimet e të tjerëve.
Allahu i Lartësuar në disa ajete shpjegon se njeriu nuk është përgjegjës për veprimet e tjetrit e as nuk ndëshkohet për to, por ai do të japë llogari për atë që ka bërë vetë. Allahu i Lartësuar thotë: ”…dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit.” (Enam, 164). Ajeti qartë shpjegon se njeriu nuk ngarkohet me barrën e tjetrit, por mbart vetëm barrën e vet.
Krahas kësaj ka ardhur fjala e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ku thotë: “Me të vërtetë i vdekuri dënohet për qarjen (vajtimin) e familjes së tij.” Buhari nr. 1286 dhe Muslim 928) Ndërsa në një transmetim tjetër: “Me të vërtet i vdekuri dënohet me qarjen e të gjallit.” (Buhariu dhe Muslimi) Në këtë hadith vërehet qartë se të vdekurin e kap dënimi për shkak të vajtimit të familjes për të.
Siç duket, ekziston një kundërthënie ndërmjet ajetit dhe hadithit, për faktin se ajeti mohon që njeriu të mbartë pasojat e tjetrit përderisa hadithi vërteton dënimin për shkak të gabimit të tjetrit. Atëherë si mund të bëhet përputhja dhe bashkimi ndërmjet tyre?
Dijetarët kanë bërë bashkimin e tyre nga disa aspekte:
1- Dënimi i cili e godet të vdekurin është për atë që ka porositur për ta vajtuar atë pas vdekjes së tij. Nëse e bën këtë, ai do të ndëshkohet për shkak të porosisë së tij, ngase është porosi në kundërshtim me rregullat e sheriatit dhe në këtë rast dënimi është për shkak të tij e nuk është për shkak të veprimit të tjetrit. Ndërsa nëse i vdekuri ka porositur familjen e tij për mos të qarë dhe për të mos vajtuar, kurse ata kanë bërë atë e nuk e zbatuan porosinë e tij, nuk e kap dënimi por ndëshkohet kush e bën atë, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar “dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit”. Këtë qëndrim e mbajnë shumica dërrmuese e dijetarëve.
2- Dënimi e kap atë që e di se zakoni i familjes së tij është qarja dhe të vajtuarit kurse ai nuk i ndalon nga ai veprim. Ndërsa nëse i ndalon nga të vajtuarit e ata e vajtojnë pas vdekjes së tij nuk e kap dënimi, por dënimi është për ta, mëkati është i tyre ngase ai e ka kryer obligimin e vet. Andaj, sipas këtij qëndrimi, për njeriun që e di se familja e tij do të vajtojnë e ka të obliguar t’i ndalojë dhe t’i këshillojë, ndërsa nëse nuk e bën do të dënohet për shkak të neglizhencës së tij. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri.”(Tahrim, 6)
3- Qëllimi i “dënimit” në hadith të jetë me kuptimin gjuhësor që është dhimbje dhe vuajtje e përgjithshme e nuk është dënim dhe vuajtje e botës tjetër. Prandaj, vuajtja e të vdekurit sipas këtij kuptimi është vuajtja e tij për shkak të vajtimit të familjes së tij, vuajtja për shkak të mospërkushtimit të tyre ndaj urdhrave të Allahut. Këtë qëndrim e mban Taberiu, Kadi Ijadi, gjithashtu e përzgjodhi edhe Ibn Tejmije.
Duhet të kihet parasysh këtu se të qarët e përmendur në hadithe nënkuptohet të qarët e shoqëruar me vajtim, rënkim, ofshamë e të ngjashme me këto. Ky lloj i të qarët është i ndaluar ndërsa në daljen e lotëve nga sytë nuk ka asgjë të keqe dhe këtë nuk e përfshijnë hadithet.
Kësisoj, mësojmë se njeriu nuk dënohet për shkak të gabimit të tjetrit, përveç nëse ai është shkaktar për të, atëherë ai ndëshkohet për këtë shkak dhe për neglizhencën e tij. Ndërsa në raste të tjera çdo njeri do të shpërblehet sipas veprës së vet dhe nuk ngarkohet me barrën e tjetrit. Allahu i Lartësuar thotë: “Në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon.” (Bekare, 286). Allahu e di më së miri!
Përgatiti: Almedin Ejupi
0 comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.