Wednesday, January 22, 2014

A lejohet të studiohet psikologjia?



Pyetje: Jam maturante dhe dëshiroj të studioj InshaAllah mirëpo kam problem në zgjedhjen e drejtimit, andaj a lejohet të studiohet psikologjia?
Përgjigje: Motër e nderuar, sa i përket drejtimit të psikologjisë duhet të kihet parasysh se psikologjia merret me studimin e gjërave shpirtërore dhe është prej lëndëve filozofike, të cilat në përgjithësi në dituritë islame i kanë zëvendësimet adekuate të tyre. Kjo gjë nënkupton se të praktikuarit e atyre njohurive që nxirren nga studimi i këtyre drejtimeve nuk lejohet për shkak se në mënyrë të tërthortë nënkupton të refuzohen shkencat islame dhe praktikat e tyre, që janë obligim për muslimanin, dhe në bazë të konsideratës dhe praktikës së tyre ai shpërblehet në dynja dhe ahiret. Sa i përket njohurive rreth shpirtit, Allahu qartë ka treguar, ku thotë:
“Do të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni”.” (Isra’, 85)
Në drejtimin e psikologjisë mësohen shumë gjëra në të kundërtën e mësimeve islame, mësohet dhe pretendohet të dihet shumë rreth çështjeve më të ndërlikuara, për të cilat nëse nuk ke njohuri nga shpallja hyjnore, nuk ke nga kush t’i arrish ato njohuri, ndërkohë që ne jemi të obliguar t’i respektojmë parimet islame, e jo ideologjitë, përvojat dhe praktikat e krijesave respektivisht njerëzve. Allahu në Kur’an thotë:“A nuk i ke parë ti (o Muhamed!) ata (hipokritë) që pohojnë se kanë besuar në atë që të është shpallur ty dhe profetëve të tjerë para teje? Ata kërkojnë gjykimin e zotave të rremë, ndërkohë që janë urdhëruar t’i mohojnë ato. Djalli dëshiron që t’i nxjerrë ata krejtësisht nga udha e drejtë.” (Nisa’, 60)
Lexoji këto me vëmendje ajete ku Allahu thotë:
“Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushje të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre. Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur. Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë. Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj bëni gara për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni te Allahu e Ai do t’ju lajmërojë për çështjet, rreth të cilave kishit kundërshti. Prandaj gjykoji sipas asaj që të ka shpallur Allahu e mos ndiq dëshirat e tyre të kota! Ki kujdes që ata mos të të nxisin të largohesh nga një pjesë e asaj që të ka shpallur Allahu! Nëse ata të kthejnë kurrizin e nuk dëgjojnë gjykimin tënd, atëherë ta dish se Allahu do vetëm që t’i dënojë për disa gjynahe të tyre. Në të vërtetë, shumë njerëz janë të pabindur.” (Maide, 48 dhe 49)
Në anën tjetër, ka disa dobi që mund të arrihen nga studimi i psikologjisë. Njohuri që e pasurojnë diapazonin e njohurive të njeriut pozitivisht, si dhe njohuri negative, të cilat mësohen për tu ruajtur prej tyre, pra studiohet për qëllim kritik. Nga kjo rezulton se dikush është mirë që ta studiojë këtë shkencë shoqërore. Mirëpo për ta ditur se kush është ai që mund ta studiojë, duhet të kemi ndonjë kriter të qartë. Në këtë rast kriteri, që lejon studimin e kësaj shkence dhe shkencave tjera simotra, është njohuria e mjaftueshme e shkencave islame, të cilat njohuri i ka bazë për vete, kurse psikologjinë do ta studionte për ta parë se çfarë thotë ajo lidhur me ato tema të caktuara, e jo për ta marrë ndihmën e parë apo bazat e njohurisë lidhur me ato tema që i studion psikologjia.
Ju personalisht mund ta dini për vete se ju lejohet apo jo ta studioni psikologjinë.
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku

Filled Under:

0 comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.