Thursday, January 2, 2014

Ushqimet që na duhen në një dimër si ky



Tashmë dimri duket se ka trokitur në shtëpitë tona. Me ardhjen e tij, një pjesë e madhe fillojnë të struken në shtëpi, diku pranë një vatre me zjarr bubulak, pranë televizionit duke shikuar me shumë filma e emisione e duke braktisur aktivitetet fizike, shëtitjet në ajër të pastër. Tani trupit tonë i nevojitet pak më shumë energji për të përballuar këto ditë të ftohta. Po cilat janë ushqimet që do të duhej t’i kishim prezent në këto ditë të ftohta, ku termometri do të tregojë shifrat nën 0 ° Celcius.
 Ligji e natyrës
Ligji i natyrës na çon drejt përzgjedhjes së frutave e perimeve të stinës, ato që na japin sasinë e duhur të vitaminave, mineraleve, kripërave, proteinave, yndyrave dhe karbohidrateve të nevojshme për të përballuar më së miri këto temperatura të ftohta. E ndër perimet jemi me fat që në këtë stinë kemi pafund shumë lloje lakrash (jeshile, të kuqe, lakra brukseli), rrepat, brokoli, lulelakër, patatet e ëmbla, të gjitha llojet e fasuleve (të zakonshmet, kafe, të zeza, të kuqe,të mëdha), bizelet, mashurkat e bishtajat, qepët e hudhrat. Mjafton të hash vetëm një masë të mjaftueshme lakre dhe me të ke marrë rreth 22 kalori. Rrepat janë shumë ushqyese dhe vitaminoze, pothuajse më tepër se çdo perime tjetër. Veçanërisht e shijshme është pjesa afër me lëkurën mbuluese. Rrepat përmbajnë folat dhe batainë, dy lëndë ushqyese, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e nivelit të gjakut, rindërtojnë arteriet e dëmtuara, zvogëlojnë rrezikun për sëmundjet e zemrës, etj.
Legjendë urbane
Ekziston një legjendë urbane mbi qepën, që në vitin 1919, kohë kur gripi i kushtoi jetën 40 milionë personave në mbarë boten. Një mjek vizitonte çdo ditë fshatrat për të ndihmuar njerëzit të luftonin sëmundjen. Shumë fermerë dhe familjet e tyre ishin prekur nga gripi dhe kishin vdekur. Një ditë mjeku vizitoi një familje dhe për çudinë e tij, të gjithë familjarët ishin të shëndetshëm. Kur doktori pyeti se çfarë bënte ndryshe kjo familje, gruaja e fermerit u përgjigj se kishte vënë nga një gjysmë qepë të qëruar në pjatë në secilën dhomë të shtëpisë. Doktori i kërkoi gruas nëse mund ta merrte njërën nga qepët për ta parë në mikroskop. Pas vëzhgimeve në mikroskop, doktori gjeti virusin e gripit në qepë. Qepa i tërhiqte bakteret, duke ruajtur në këtë mënyrë shëndetin e familjes. Qepa është e pasur me kripëra minerale dhe oligo-elemente.
Fasule (çdo të hënë) 
Duke ngrënë 4 herë në javë nga një 1 kupë fasule ulet rreziku i sëmundjeve të zemrës me 22%. I njëjti zakon mund të uli rrezikun e kancerit të gjirit. Sa më e errët ngjyra e fasuleve aq më shumë antioksidantë përmban. Lëvoret e fasuleve të kuqe dhe të zeza përmbajnë 40 herë më shumë antioksidantë se lëvoret e fasuleve të bardha.
 Frutat 
Tek frutat kemi mundësi të zgjedhim ndërmjet shegëve, hurmave, mollëve, agrumeve (në veçanti ato në ngjyrë të kuqe), gështenjave, arrave dhe frutave të thata. Shega, një nga frutat më të shijshme këshillohet që të jetë pjesë e dietës sonë gjatë stinës së dimrit . Fakti që ky frut maturohet plotësisht në fillim të vjeshtës dhe vazhdon të korret deri në fillim të janarit, na bind edhe më tepër se përmban vlera ushqyese dhe kuruese të jashtëzakonshme. Që nga koha e Hipokratit, terapeutistë përdornin lëkurën, gjethet dhe farat e saj për diarenë, dizanterinë kronike dhe plagët. Farat e pabëra përdoren për temperaturën, ndërsa të pjekurat për kollën. Kleopatra përdorte lëngun e saj në fytyrë, në flokë dhe në thonj. Ndërsa, hurmat janë mbrojtës nga kanceri abdominal. Ato janë ushqimi më i mirë për lehonat dhe ato që janë duke u dhënë gji fëmijëve se pasurojnë qumështin e nënës me të gjitha elementet e nevojshme.
Zgjidhini drithërat! 
Nga drithërat me patjetër duhet të këmbëngulim gjithmonë në përzgjedhjen e drithërave integrale ( grurë integral, thekër, elb, tërshërë, misër). Gruri integral rrit imunitetin, përshpejton rritjen dhe zhvillimin e organizmit, është efikas kundër lodhjes, rregullon tretjen, shëron alergjinë, si dhe është i dobishëm te sëmundjet e zemrës. Buka e thekrës preferohet të përdoret kundër diabetit, anemisë, te kapsllëku, si dhe për përmirësimin e sistemit nervor. Ndërsa, elbi shpesh është konsideruar si ushqimi i të varfërve.
Elbi është më i shëndetshëm se gruri, sepse ka veti të mëdha shëruese. Ai ul kolesterolin, forcon organizmin, është efikas kundër plakjes, kundër sëmundjeve të enëve të gjakut, reumatizmës, kollës. Tërshëra për shkak të përmbajtjes së pasur me minerale dhe vitamina, më shumë mund të konsiderohet ilaç, sesa ushqim. Ndërsa misri ul tensionin e lartë të gjakut, është i dobishëm te sëmundjet e enëve të gjakut, kundër diabetit, largon gurin në veshkë, është i dobishëm kundër rakitit, dhembjes së shpinës, etj.
Alkooli na ngroh, por pini më mirë çaj
Po alkooli?! A është e vërtetë që me pije alkoolike mund të luftojmë të ftohtin?! Kur temperaturat bien nën zero, më mirë se pijet alkoolike si vodka ,ferneti, uiski, konjaku apo rumi preferohet vera brulë e cila përftohet nga zierja e verës të kuqe me rrënjë karafili , pak kanellë, lëkure portokalli dhe një majë luge sheqer. Alkooli ka kalori të tepërta, por boshe (vlerat ushqimore janë zero). Përpiquni sa më shumë të shmangni lëngjet e frutave të konservuara, pasi ato përmbajnë sheqer të shtuar, aromatizues dhe konservantë. Preferoni lëngjet e frutave sidomos ato të agrumeve. Një tjetër pije e mrekullueshme është çaji jeshil, i cili ka efekte mjaft pozitive në zemër, kocka, lëkurë apo në shëndet në përgjithësi. I servirur me pak mjaltë e limon shton edhe më shumë fuqitë antioksiduese, qetëson kollën dhe zbut sekrecionet. Falë polifenoleve çaji jeshil është një thesar për shëndetin dhe gjithë organizmin. Mjaftojnë tre filxhanë në ditë për të funksionuar efektit antidepresiv tek personat me moshë të madhe. Merita është e teninës, një aminoacid që favorizon efektin qetësues. Çaji jeshil favorizon rritjen kockore deri në 80%, duke parandaluar osteoporozën dhe frakturat. Merita edhe këtu i takon epigalokatekinës (ECG), një nga polifenolet e pranishme në të. Çaji jeshil është në gjendje të përmirësojë elasticitetin e mureve të artereve, duke kontribuuar në një mirëfunksionim më të madh të aparatit kardioqarkullues.
Çaji i sherebelës është një tjetër bimë, që shërben jo vetëm për qetësim apo për kurimin e disa sëmundjes, por shumë lehtë ajo mund të ulë edhe temperaturën e lartë. Çaji i përgatitur nga bima e shërbelës mund të pihet çdo mëngjes esëll dhe në mbrëmje vonë. Këshillohet të pihet dy gota prej këtij çaji. Ekstrakti i fituar nga gjethet e sherebelës u jep një ndihmesë të madhe të sëmurëve, që vuajnë nga turberkulozi. Në gjethet e bimës ndodhet një fitoncid aktiv, që lufton këtë sëmundje të rrezikshme. Mjekët rekomandojnë pirjen e tre gotave çaji të sherbelës çdo ditë të ëmbëlsuar me mjaltë, pasi ndihmon në lehtësimin e sëmundjes. Gjithashtu, bima sjell rezultate mjaft të mira edhe në sëmundjet, që mund të prekin mëlçinë e zezë dhe tëmthin.
Zgjidhni mëngjesin 
Përzgjedhjet për mëngjesin: 250 ml qumësht ose kos me 2 lugë tërshërë, 250 ml qumësht ose kos me corn flakes, 250 ml qumësht ose kos me muesli, 1 fetë bukë e zezë me 1 kokërr vezë dhe 30 gr djath të bardhë, 250 ml qumësht dhe 1 banane të vogël, 250 ml lëng portokalle e karrotë. Paradite mund të konsumoni: 1 frut i stinës ose 1 grusht fruta të thata.
Një drekë perfekte
Dreka që gjithkush do të donte të konsumonte nesër mund të jetë kjo që ju sjellim: 150 gr peshk ose sardele, perime te pjekura, sallatë jeshile, 1 fetë bukë të zezë ose 120 gramë pasta me salcë domatesh, sallatë mikse dhe një brusketë, jo shumë të rënduar. Pasdite ju ngelet të konsumoni vetëm: 250 ml lëng portokalli e karrote dhe një frut i stinës.
Dreka juaj 
Përzgjedhjet për drekën: 120 gr mish pule, 1 kupë oriz integral ,1 lugë vaj ulliri, 1 brusketë me hudhër e domate, sallatë jeshile ose zgjidhni alternativën tjetër: 120 gr mish viçi,1 racion bizele me karrota, sallatë domatesh me 30 gr djathë të bardhë. Mund të zgjidhni edhe: 150 gr salmon ose sardele, pure patatesh, sallatë jeshile, 1 fetë bukë të zezë. Nëse nuk konsumoni mish: 1 racion fasule ose thjerëza,1 fetë bukë e zezë, sallatë me spinaq të zier ose zgjedhjen si më poshtë: 1 racion mashurka ose lakër, 60 gr djathë, sallatë me patate të zier, 1 lugë vaj ulliri.
Përzgjedhjet për darkën
1 omletë me zarzavate, 200 ml kos,1 fetë bukë e zezë, sallatë mikse ose 60 gr peshk ton plus sallatë me fasule të kuqe, misra, karrota të ziera, pomodorini dhe një fetë bukë e zezë mund të jetë darka juaj. Supë perimesh, sallatë jeshile. Burani me spinaq ose lakër e bardhë, speca të freskët, ullinj e borzilok, 200 ml kos. Sallatë me mashurka të ziera, domate,ullinj dhe 40 gr gjizë. Vezë e zier, sallatë me spinaq të zier dhe karrota, 1 spec i mbushur, 200 ml kos.

Filled Under:

0 comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.